Një aksion i përbashkët i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorisë së Taksave në bashki, Policisë Bashkiake dhe Ndërmarrjes “Rruga” ka nisur sot në lagjen nr.17 në Durrës dhe më konkretisht në rrugën “Marta Burda”.
Aksioni ka për qëllim lirimin e të gjitha hapësirave publike të zëna nga tregtarë të ndryshëm, por edhe qytetarë.
Të shpeshta kanë qenë në këtë zonë apelet e banorëve për lirimin e hapësirave publike, sidomos trotuareve nga rreth 40 tregtarë të rrobave të përdorura, që prej kohësh ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Aksioni i nisur sot do të vijojë për disa ditë me radhë, për të rikthyer në gjendjen fillestare të gjitha hapësirat publike të kësaj lagjeje.
Siç duket edhe nga pamjet filmike që “DurrësLajm” ka marrë gjatë aksionit të drejtorive në varësi të bashkisë Durrës, nga të gjitha aktivitetet tregtare po hiqen kryesisht tendat që janë vendosur pa marë lejen e autoriteteve, por edhe struktura prej druri etj.
Pas lagjes nr.17, aksioni pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit bregdetar.