Ankorohet në kalatën nr.7 të portit të Durrësit anija “Moliva”, që në bordin e saj ka 102 kontejnerë të dyshuar me mbetje të rrezikshme.
Puna për shkarkimin e rreth 200 kontejnerëve në total pritet të nisë që herët në mëngjes dhe procesi i shkarkimit parashikohet të zgjasë rreth 3 orë.
Në pamjet video që po publikojmë duken momentet kur anija me flamur turk i afrohet portit të Durrësit dhe më pas udhëtimi i saj në basen, drejt kalatës së kontenerëve.
“DurrësLajm” mëson se 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme, për të cilat prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin dhe ruajtjen nën masa të rrepta sigurie, do të spostohen drejt Porto Romanos në afërsi të EcoPark-ut, ku gjatë këtyre ditëve është krijuar një hapësirë e posaçme.
Transporti me kamion i kontejnerëve do të bëhet po ashtu nën masa të rrepta siguria, si dhe pritet të shoqërohet nga efektivë të forcave të rendit.
Hapësira e dedikuar për vendosjen e kontejnerëve gjatë këtyre ditëve është një pronë e sekuestruar kohë më parë nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara).
M.B.