“DurrësLajm” publikon pamjet e vendit ku po transportohen përkohësisht 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme, të kthyer me anijen turke “Moliva” nga Tajlanda.
Kontejnerët janë shkarkuar paraditen e sotme në Portin e Durrësit nën masa të rrepta sigurie nga autoritetet si portuale, ashtu dhe policore dhe aktualisht po transportohen në zonën e Porto Romanos në afërsi të EcoPark-ut, ku gjatë këtyre ditëve është krijuar një hapësirë e posaçme.
Hapësira e dedikuar për vendosjen e kontejnerëve gjatë këtyre ditëve është një pronë e sekuestruar kohë më parë nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara).
Ajo është rrethuar dhe në të janë vendosur kamera sigurie, ashtu siç dhe prokuroria e Durrësit ka kërkuar ditë më parë, në letrën drejtuar një sërë institucionesh.