Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 24 nëntor se shtetit të tij “i duhen më shumë sisteme për mbrojtje ajrore”, për t’i mbrojtur njerëzit e vet, teksa Rusia vazhdon të shënjestrojë Ukrainën me bomba ajrore, dronë luftarakë dhe raketa.

“Mbrojtja më e fuqishme e qiejve tanë është absolutisht kritike”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se Kievi është duke “punuar aktivisht” me partnerët për përmirësim të mbrojtjes ajrore të shtetit.

Rusia ka nisur më shumë se 800 bomba ajrore, ka kryer rreth 460 sulme me dronë dhe rreth 20 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës, vetëm javën e kaluar, sipas Zelenskyt.

Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, kanë raportuar më 24 nëntor se kanë zmbrapsur disa sulme me dronë përgjatë natës.

Serhiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të Kievit, ka thënë se alarmi ajror ka zgjatur më shumë se tri orë dhe që dronët “kanë lëvizur në drejtime të ndryshme” të qytetit.

Forcat ukrainase patën kryer një inkursion të befasishëm në rajonin rus, Kursk, në gusht, duke marrë kontrollin e 1.400 kilometrave katrorë.