Qeveria shqiptare  kërkon të rindërtojë linjën hekurudhore Rrogozhinë-Vlorë, si dhe të lidhë këtë segment me aeroportin e ri të Vlorës, në të cilin punimet janë në fazën përfundimtare.

Për këtë, në Agjencinë e Prokurimit Publik është publikuar edhe shpallja e tenderit nga Hekurudha Shqiptare, ku kërkohet gjetja e një kompanie që do të kryejë studimin dhe hartimin i projekt-idesë përfundimtare për rehabilitimin e linjës ekzistuese.

Gjithashtu dhe studimin dhe hartimin e projekt-idesë përfundimtare për lidhjen e vijës hekurudhore të aeroportit të Vlorës me rrjetin ekzistues hekurudhor. Përmes kësaj, qeveria po synon krijimin e një lidhjeje funksionale dhe të qëndrueshme hekurudhore, e cila do të mundësojë një përvojë të integruar transporti për qytetarët vendas dhe te huaj.

Kjo lidhje synon të ofrojë një shërbim të kombinuar të transportit hekurudhor me transportin ajror, duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroport në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Përmes realizimit të këtij projekti, pritet të përmirësohet dukshëm komoditeti dhe lehtësia e udhëtimit, duke i dhënë qytetarëve dhe turisteve mundësinë për të përdorur një sistem transporti të kombinuar, që ndihmon në uljen e përdorimit te transportit rrugor dhe ndotjen mjedisore.

Gjithashtu, një nga objektivat kryesore është rritja e sigurisë së lëvizjes për udhëtarët, duke reduktuar rrezikun e aksidenteve dhe duke përmirësuar standardet e transportit në të gjithë rajonin.

Kjo lidhje do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të zonës dhe do të kontribuojë në rritjen e aksesit në shërbimet publike, ndërkohë që integron Vlorën më mirë me rrjetin e përgjithshëm të transportit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përdorimi i transportit hekurudhor, do të sjellë uljen në një masë të konsiderueshme të transportit automobilistik, që do shoqërohet me uljen e aksidenteve njerëzore në transportin automobilistik si dhe një ndikim pozitiv në uljen e ndotjes së ajrit nga tymrat dhe gazrat.

Shpejtësia e lëvizjes parashikohet të jetë deri në 120 km/orë, ndërsa kategoria e linjës do të jetë D-4 të UIC, me ngarkesë të lejuar boshtore 22.5 tonë/aks dhe gjatësore 8 tonë/ml.

Fondi limit është 95 milionë euro, ndërsa afati për paraqitjen e ofertave është deri më 27 janar të 2025-ës. Aktualisht qeveria shqiptare është duke rindërtuar linjën Tiranë-Durrës, si dhe duke ndërtuar lidhjen e kësaj linje me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.