Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim deklaron se reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë por se është e nevojshme.

Në një postim në Twitter, ambasadorja Kim shkruan se disa po ëndërrojnë që BKH, e ashtuquajtura FBI-ja shqiptare nuk do të themelohet kurrë dhe shpresojnë se drejtësia nuk do vijë kurrë por kjo nuk do të bëhet e vërtetë.

“Duket sikur disa po ëndërrojnë që NBI (National Bureau of Investigation-Byroja Kombëtare e Hetimit) nuk do të themelohet kurrë, ata shpresojnë që drejtësia nuk do të vijë kurrë. Më vjen keq që ju zgjoj nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara.”

Deklaratat e ambasadores së SHBA, vijnë pak orë pasi PD denoncoi zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajnaj, e cila kandidon për postin e Byrosë kombëtare të Hetimit, duke thënë se është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, lirimin e të kërkuarit për trafik droge Naser Gashi.