Një sezon jo brenda pritshmërive të operatorëve turistikë. Kështu mund të cilësohet sezoni veror i deritanishëm në bregdetin e Durrësit, kur tashmë kemi hyrë në muajin e fundit të verës.
Shkak për këto shifra më të ulta sesa parashikimet e fillim sezonit duket se janë bërë numri më i ulët i prenotimeve last minute, por edhe mungesa e shqiptarëve të diasporës, të cilët për shumë vite me radhë kanë qenë frekuentuesit më të shpeshtë të vijës bregdetare të Adriatikut.
“Në tërësi është një sezon i mirë, por pritshmëritë kanë qenë më të larta. Muaji korrik ka pasur më pak rezervime, sesa ishin pritshmëritë. Këtë vit ka pasur një fenomen ndryshe. Rezervimet që kanë ardhur me grupe të organizuara nuk kanë munguar, pra turistët e huaj kanë ardhur. Ajo që është vënë re ka qenë mungesa e turistëve që prenotojnë minutat e fundit, por dhe turistëve individuelë, që pjesa më e madhe janë shqiptarët e diasporës. Parashikohet që muaji gusht të arrijë pritshmëritë që kemi”,– thotë për “DurrësLajm”, Blerim Norja, administratori i njërit prej hoteleve më të njohur në zonën e plazhit.
Zgjatja e sezonit turistik nga muaji prill deri në tetor pritet të zbusë disi flukset e munguara turistike gjatë muajve të verës. Regjistrimi i më pak prenotimeve në strukturat hoteleriere dhe klientela e pakët në njësitë e shërbimit si bare, restorante, disko verore etj ka ulur ndjeshëm të ardhurat e operatorëve turistikë.
“Kjo rënie është ndjerë më shumë tek bizneset lokale, sesa tek hotelet. Ka qenë rënia e klientëve individualë, të cilët janë ata që konsumojnë më shumë tek bizneset lokale”.
Nga ana tjetër, monedha europiane ka arritur nivelet më të ulta në kursin e këmbimit me lekun, gjë që reflektohet drejtpërdrejt në rënien e të ardhurave për sektorin e turizmit.
Gjatë vitit të kaluar, Durrësi regjistroi mbi 1.5 milion turistë, ndërkohë që deri më tani mumgojnë shifrat zyrtare përsa i përket flukseve turistike. Sipas INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit, vendin tonë e vizituan 4.7 milionë të huaj, ose 4,8% më shumë se vjet.
M.B.





