Dega e Partisë Demokratike Durrës ka përmbyllur procesin e propozimeve të kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie. Gjatë muajit korrik janë zhvilluar 39 mbledhje grupseksionesh, ndërkohë që fakt interesant është propozimi i shumë emrave, rreth 300, shifër kjo që gjithsesi nuk pranohet zyrtarisht, pasi procesi është ende në fazën e përmbylljes së procesverbaleve.

I kontaktuar nga DurrësLajm, njëri nga anëtarët e Grupit Qendror të Koordinimit, Edmond Spaho, nënvizoi se procesi ka qenë shumë i rregullt dhe mjaft transparent.

“Grupet e punës janë ende në fazën e mbylljes së procesverbaleve dhe hartimit të raporteve mbi procesin. Anëtarësia ka propozuar mjaft emra, por kjo nuk nënkupton se të gjithë do të përfshihen në garë, pasi personat e propozuar nga anëtarësia do të kontaktohen fillimisht për t’i pyetur nëse e pranojnë propozimin”,– tha nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.

Pas propozimit nga baza, emrat do të kalojnë në sitën e komisionit të verifikimit të kandidaturave, nga ku do të përzgjidhen rreth 20% e emrave të propozuar. Shtatori pritet të jetë një muaj i “nxehtë”, pasi emrat do të risillen në bazë për t’iu nënshtruar tashmë procesit të zgjedhjes me parimin “një anëtar, një votë”.

Pjesëmarrje e lartë në mbledhjet e grupseksioneve

Për PD-në e Durrësit, pjesëmarrja e madhe e anëtarësisë në mbledhjet e grupseksioneve shihet si faktor mjaft pozitiv, pasi dëshmon së pari se procesi i propozimit të kandidaturave është mirëpritur nga baza (megjithëse po aplikohet për herë të parë) dhe së dyti besimin e mbështetësve tek partia.

“Proçesi ka shkuar shumë mirë. Pjesëmarrja ka qenë përtej pritshmërive, pasi tek të gjitha mbledhjet ka marrë pjesë rreth 70% e anëtarësisë së grupseksionit. Anëtarësia ka propozuar shumë emra. Janë bërë 39 mbledhje grupseksionesh nga ku janë bërë propozimet për kandidatët për deputet edhe për kryetar bashkie. Çdo anëtar kishte të drejtën për të propozuar një emër”,- thotë nënkryetari i PD-së, Arlind Boshku.

E veçanta për këtë proces ishte fakti se pavarësisht se një emër propozohet vetëm nga një anëtar apo nga shumë anëtarë (në vetëm një mbledhje apo disa mbledhje grupseksionesh), ai/ajo përfshihen automatikisht në listën e parë të kandidatëve që i dërgohet kryesisë dhe komisionit të verifikimit të kandidaturave.  Propozimi i shumë emrave ka surprizuar edhe vetë kryesinë e PD-së së Durrësit, megjithëse nga procesi nuk pritet të dalin vetëm emrat e kandidatëve për deputetë apo kryetar bashkie, por edhe për drejtues të ardhshëm të institucioneve, drejtorive rajonale e lokale apo anëtarëve të Këshillit Bashkiak në qytetin bregdetar.

Surprizat me disa emra të propozuar nga baza

Emrat e propozuar nga baza e PD-së durrsake janë të shumtë dhe të larmishëm, por bie në sy fakti se përveç figurave kryesore të njohura gjerësisht në qytetin bregdetar ka përfaqësues të grupimeve të ndryshme si ish të përndjekurit politikë, FRPD, Forumi i Gruas Demokrate apo emra nga bota e sportit, biznesit etj.

DurrësLajm mëson se propozimet më të shumta nëpër mbledhjet e grupseksioneve kanë shkuar për ish-deputetët Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu, Igli Cara, Gazmend Oketa etj. Kryetari i degës Ferdinand Xhaferi është propozuar shumë herë nga baza, megjithëse në bazë të udhëzimit të kryesisë së PD-së, krerët lokalë përjashtohen nga procesi. Të tjerë emra të propozuar janë ata të nënkryetarëve dhe kryesisë së degës lokale si Arlind Boshku, Ardian Muka,  Neritan Golja, Pëllumb Berisha etj. Por ka dhe emra surprizë si ai i lektores së UAMD-së, Blerina Xhakolli, mësueses Arjeta Keçi apo ish-deputetes Grida Duma. Megjithëse Duma prej kohësh i ka përqendruar energjitë në elektoratin e zonës së saj në Tiranë, ku dhe fitoi mandatin e deputetes në vitin 2017, në Durrës (qytetin e saj të lindjes) ka nostalgjikë që duan ta shohin ish-kandidaten për kryetare bashkie si përfaqësuese të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Procesi i përzgjedhjes së emrave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave do të zhvillohet në muajin gusht, ndërsa shtatori do të jetë muaji i “provës së zjarrit” për shumë prej tyre. Por, nëse ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri Rama do të miratohen ndryshimet kushtetuese më 30 korrik, rregullat e lojës mund të ndryshojnë dhe PD mund të rishohë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave.

M.B.