Partia Demokratike mohon vërtetësinë e lajmit që qarkulloi pasditen e sotme në mediat online, për kandidimin për deputet nga ana e kësaj partie të ish-gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime zyrtare nga selia blu bëjnë me dije se propozimi nga një anëtar partie nuk nënkupton kandidim.
Zyrtarisht PD konfirmon se në metodologjinë e hartuar të seleksionimit të kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është përcaktuar qartë si kriter përjashtues, që nuk mund të kandidohet nga PD “asnjë individ i cili është larguar nga detyra për shkak të vettingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vettingut.”
Më herët në media u raportua se strukturat e degës së Partisë Demokratike në Lezhë e kanë propozuar emrin e Gjin Gjonit si kandidat për deputet.
Gjin Gjoni, gjyqtar i Apelit Tiranë, ka paraqitur dorëheqjen nga statusi i gjyqtarit dhe nga funksioni i gjyqtarit të Apelit. Kërkesa është depozituar disa ditë më parë në KLGJ.
Burime pranë KLGJ-së bëjnë me dije se në kërkesën e paraqitur, Gjoni pretendon se sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe lëvizjet e sita e vetting-ut nuk ka të njëjtat parametra e kritere të barabarta për të gjithë.





