34 vite më parë, më 8 gusht 1991, nga porti i Durrësit do të nisej drejt Italisë anija “Vlora”, në bordin e së cilës ndodheshin mbi 20 mijë shqiptarë, që ikën drejt perëndimit për një jetë më të mirë.
Mes mijëra njerëzve që u mblodhën në port atë ditë ishte edhe vajza 16-vjeçare e mjeshtrit durrsak të drurit, Ahmet Lila. Fatkeqësisht për Valbonën, ajo do të ishte dita e fundit e jetës, sepse ndërsa njerëzit dyndeshin për t’u futur në anijen e tejmbushur, këputja e një litari do të rezultonte fatale për adoleshenten.
Pavarësisht dërgimit të saj në spital me një makinë të rastit, për Valbonën nuk kishte më shpresë dhe mjekët i konfirmuan babait se vajza e re kishte ndërruar jetë.
Pas rënies së komunizmit, të detyruar nga kushtet e dëshpëruara social-ekonomike, shqiptarët sfiduan vdekjen në kërkim të fatit të tyre, pa asnjë siguri, por me shpresën se diku, larg vendit të tyre, mund të ndërtonin një jetë më të mirë. Fatkeqësisht, ai udhëtim nuk nisi asnjëherë për Valbonën 16-vjeçare, ndërsa për familjen e sajm ai 8 gusht dhe të tjerët që e pasuan, ishte i zi dhe i mbushur me dhimbje e dëshpërim.
Për mijëra shqiptarë, ai udhëtim drejt Italisë pritej të shënonte fillimin e një jete të re. Por 20 mijë emigrantët që sfduan frikën u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’ të Barit, ndërsa pas dy javësh mbi 17 mijë prej tyre u riatdhësuan në Shqipëri.
Anija e tejmbushur me njerëz që largoheshin në kushte ekstreme nga vendi i tyre, është tabloja e trsihtë që kujtojmë ende sot nga ajo ditë e nxehtë vere.
M.B.





