Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me situatën e zjarreve.

Përmes një komunikim të zhvilluar “online” në Facebook, Rama bëri me dije se 207 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret masive që prekën vendin në orët e fundit, ku sipas tij 40 prej tyre janë djegur totalisht.

“Vijmë te një panoramë më e gjerë e kësaj situate.

Në gusht, janë djegur 440 mijë hektarë në Europë, pjesa më dërrmuese në Europën Jugore, nga Spanja në Turqi.

Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Këtë e them që të kuptohet një gjë.

Ne mund të flasim shumë, ca mund të thonë duhen ca roje apo avionë më shumë.

Por, po flasim për rajone të mëdha që janë përballur me situatë shumë të rëndë.

Turqia ka 55.500 njerëz të evakuuar tani dhe dihet mirë se çfarë organizimi ka.

Duhet një vëzhgim për të mos dalë menjëherë në konkluzione dhe për të kuptuar që ka gjëra që duhen bërë më shumë, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret.

Ky është një fenomen që është gjithnjë e më prezent.

Në mes të korrik, të dhënat e sistemit europian tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE, rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit.

Dhe nuk mund të thuash që në ato nuk ka avion,” tha Rama.