Kryeministri Edi Rama bën levizjen e papritur, fton në takim kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës së re.
Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Kryeministria, takimi do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 19:00 në Kryesinë e Kuvendit. Bashkë me Ramën në takim do të marrë pjesë edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Sot, më datë 21 korrik, në orën 19:00, Kryeministri, z. Edi Rama, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, do të takohen me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës. Takimi do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit”– njofton kryeministria.
Burime nga Kryeministria bëjnë me dije se gjatë takimit të sotëm, Rama dhe tre kryetarët e grupeve parlamentare do të firmosin një dokument për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit.
Takimi i Ramës me opozitën e re, vjen disa orë pas atij me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila i tha kryeministrit se SHBA ishte e qartë në atë që kërkonte nga Shqipëria lidhur me Reformën Zgjedhore.





