Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot nen për nen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por diskutimi online është shoqëruar me përplasje mes palëve për disa çështje.
Gjatë mbledhjes së sotme, relatori i projektligjit, Alket Hyseni ka lexuar nën për nen amendamentet e dakordësuara nga opozita jashtë parlamentare në bashkëpunim me Damian Gjiknurin.
Hyseni nuk është ndalur në nenet specifike, duke mos shpjeguar përmbajtjen e tyre, por të gjitha propozimet morën 3 vota kundër të anëtarëve të opozitës së re në parlament, të cilët përkrahin nismën e ndryshimeve Kushtetuese të Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit.
Pas këtij miratimi, nisma e Kodit Zgjedhor është gati të shkojë në seancë plenare për t’iu nënshtruar votimit final në raste se do të arrihen 84 votat e nevojshme.
Anëtarët kanë dalë nga rendi i diskutimit dhe ka qenë drejtuesi i mbledhjes, Ulsi Manja, që ka ndërhyrë, duke thënë se ndërhyrjet do të jenë të karakterit legjislativ, ku thekson se çështjet e barazisë gjinore janë çështje të tejkaluara.





