Kreu i PD, Lulzim Basha është pritur nga Kadri Veseli në një prej takimeve të shumta të tij sot në Prishtinë të Kosovës.

Basha ka thënë për Kadri Veselin, i cili tashmë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Hagës për krime lufte gjatë luftës në Kosovë se edhe kësaj radhe drejtësia do të triumfojë.

Lideri demokrat shprehet i qartë se Kosova ishte viktima dhe jo agresori, dhe teksa të akuzuarit nga ana e Kosovës janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, agresori nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

STATUSI I LULZIM BASHES:

Pata kënaqësinë të bisedoj gjatë pasdites me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotin Kadri Veseli, për zhvillimet në Kosovë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe për aktakuzën e ngritur ndaj tij.

Asnjë akuzë ndaj komandantëve apo ushtarëve të UÇK-së, nuk mund ta njollosë luftën për liri dhe pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova ishte viktima dhe jo agresori. E megjithatë, të gjithë të akuzuarit nga ana e viktimës, i janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori ende nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.

Edhe kësaj here jam i bindur se drejtësia do të triumfojë, dhe Kosova do të vazhdojë të konsolidohet si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndamë të njëjtin qëndrim me z.Veseli se dialogu është rruga e duhur për të çuar në procesin e njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve.

Kam bindjen se udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës do të arrijnë me maturinë, guximin dhe pjekurinë e treguar deri më sot, të përballen me sfidat që ka përpara Kosova, qoftë ato që lidhen me dialogun, politikën e brendshme, çështjet ekonomike apo dhe proceset integruese të Kosovës.