Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të qartë ambasadorëve shqiptarë nëpër botë që të marrin një rol më aktiv në identifikimin dhe regjistrimin e shqiptarëve të suksesshëm jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ambasadorëve “DIPLO2025”, që u zhvillua sot në Tiranë, kreu i qeverisë theksoi se është e papranueshme që Shqipëria, si një vend i vogël, të mos ketë një databazë të përditësuar me profesionistët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë.

“Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit. Ka shqiptarë të jashtëzakonshëm që shkëlqejnë në çdo cep të botës dhe shumë prej tyre nuk kanë asnjë nevojë materiale ndaj Shqipërisë, por do ta mirëprisnin një ftesë për të kontribuar për vendin e tyre”, – u shpreh Rama.

Ai shtoi se shërbimi diplomatik duhet të garantojë këtë njohje, në mënyrë që më pas të ndërtohen ura bashkëpunimi me diasporën.

“Është e papranueshme që ende nuk kemi një database që pasurohet dita-ditës me profesionistët shqiptarë kudo në botë. Me këtë dijeni, shumëçka tjetër mund të ndërtohet”, – theksoi kryeministri.

Më tej, Rama u ndal edhe te pjesëmarrja e shqiptarëve që jetojnë jashtë në zgjedhjet e vendit, duke e cilësuar si një mundësi për të forcuar jo vetëm rolin e tyre në vendimmarrje, por edhe përgjegjësinë e shtetit për të qenë më pranë tyre.