Konsumatorët shqiptarë lanë pas vetëm Malin e Zi në të gjithë Europën për nivelin e ulët të blerjeve online në vitin 2024.

Të dhënat zyrtare të Eurostat tregojnë se në vitin 2024, vetëm 37.5% e individëve shqiptarë kryen blerjen online, duke lënë pas vetëm Malin e Zi me 34.6%.

Ky rezultat është dukshëm më i ulët krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian (71.7%) dhe shumë më poshtë nga vendet të tilla si Irlanda apo Holanda, ku mbi 90% e popullsisë përdor internetin për blerje.

Niveli i ulët i blerjeve online nuk lidhet vetëm me mungesën e dixhitalizimit, por edhe infrastrukturën financiare, pasi Shqipëria ende shumicën e blerjeve me pakicë i bën me para cash.

Në përgjithësi, shqiptarët shfaqin mosbesimin te platformat online dhe për një pjesë të madhe mungesa e të ardhurave është një faktor kryesor që ndikon kufizimin e mundësive për të blerë nga interneti.

Teksa qytetarët europiane i kanë rutinë blerjet online në Shqipëri ky treg është ende në fazë fillestare. Vendi ynë ka shumë hapësira që kërkojnë investime në sigurinë e transaksioneve online, përmirësimin e logjistikës dhe rritjen e besueshmërisë së shërbimeve elektronike.

Shqipëria ende vuan nga mangësitë e rregullimeve ligjore për blerjet online dhe gjithashtu me mungesën e mekanizmave të fortë për mbrojtjen e konsumatorit. Vendi ynë ka mungesë logjistike të mirëfilltë shpërndarjeje çka bën që shumë kompani të hasin vështirësi në ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe efikase, sidomos jashtë zonave urbane.

Sakaq përqindja e përdorimit të kartave bankare, pagesave me celular dhe shërbimeve të bankingut online në Shqipëri vijon të jetë është më e ulët se në pjesën më të madhe të Europës. Nga ana tjetër, shumë biznese të vogla dhe të mesme nuk kanë ende sisteme të integruara për shitje online, pasi i konsiderojnë ato si të kushtueshme dhe të ndërlikuara.

Këto zhvillime tregojnë se tregtia elektronike në Shqipëri ka potencial të konsiderueshëm rritjeje në vendin tonë. Zgjerimi i tregtisë elektronike nxit produktivitetin, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare. Mirëpo struktura e popullsisë shqiptare me pakësimin e moshave të reja dhe rritjen e grup-moshave më të vjetra nuk e favorizon shumë teknologjinë./ Monitor