Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, ka folur në prag të ndeshjes ndaj Vorës, duke theksuar se skuadra durrsake duhet të tregojë pjekuri dhe të mbështetet te përvoja në përballje me presion. “Teuta duhet të shfrytëzojë eksperiencën, organizimin dhe përvojën në ndeshje me presion të lartë. Nuk duhet nënvlerësuar Vora, sepse entuziazmi i një ekipi që ngjitet për herë të parë mund të bëjë diferencën në disa momente,” u shpreh Kotobelli. Durrsakët kërkojnë të nisin sezonin me këmbë të mbarë në shtëpi, ndërsa Vora, debutuese në elitë, pritet të hyjë e motivuar për të surprizuar.
Blerim, i gëzuar për barazimin ndaj Partizanit?
Ishte një takim i fortë, pasi ekipi kundërshtar kërkonte të merrte tri pikët. Kjo na e vështirësoi edhe më shumë punën tonë, por gjithsesi ne nuk e humbëm kurrë besimin se do të merrnim pikë dhe për këtë luftuam deri në fund, duke ia arritur deri diku qëllimit. Jam shumë i gëzuar, sepse ne do të vazhdojmë rrugën që kemi nisur në javën e parë të kampionatit. Kemi marrë një pikë dhe tani duhet të shohim vetëm përpara, pasi kemi ende punë për të bërë. Jemi në rrugë të mbarë, por kjo nuk duhet të na kënaqë më shumë sesa duhet.
Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Vorës?
Dueli ndaj Vorës nuk është i thjeshtë, edhe pse ekipi është debutues në Superiore. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse kemi si synim fitoren në këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.
Pra 3 pikët janë objektivi i vetëm në këtë ndeshje?
Ne kemi një eksperiencë shumë më të madhe në elitë, një grup lojtarësh të konsoliduar dhe një organikë më të gjerë. Me 22 lojtarë të gatshëm, skuadra ka mundësi të freskojë formacionin dhe të luajë me intensitet të lartë. Objektivi është i qartë, fitorja.
Me rinisjen e kampionatit do të ketë ngjeshje të madhe ku do të luani 3 ndeshje për 7 ditë. Sa torturuese do të jetë kjo për një lojtar?
Edhe pse 3 ndeshje në 7 ditë është një sfidë e madhe, fakti që ekipi është i plotë dhe i ekuilibruar është një avantazh i madh. Kjo e bën skuadrën të besojë se mund t’i përballojë jo vetëm fizikisht, por edhe mentalisht.
Në fund, kapiten, a ke një thirrje të fortë për tifozët?
I presim të gjithë në stadium! Zëri dhe zemra e tyre janë forca jonë më e madhe. Së bashku mund ta nisim këtë sezon me fitore dhe t’u tregojmë të gjithëve se çfarë do të thotë Teuta.





