Kreu i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar, lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë të fundit si “një nga hajdutët më të poshtër që ka Shqipëria”.

Berisha përgëzoi degën e PD-së në Tiranë dhe Belind Këlliçin për protestat e vazhdueshme kundër Veliajt, ndërsa denoncoi dhunimet çnjerëzore ndaj të burgosurve që, sipas tij, kryhen me urdhër të Ramës dhe Ulsi Manjës.

Ai akuzoi qeverinë për manipulime dhe abuzime gjatë pandemisë, ku vetëm nga fondet e Covid-it janë zhdukur 500 milionë euro dhe janë fshehur 22 mijë viktima, ndërkohë që Veliajt i besohet përsëri drejtimi i Tiranës.

Berisha: Një personazh, që nuk po ia them emrin, para 40 vitesh, u thoshte të tjerëve që unë dhe Enveri këtë nuk e dimë.
Edhe ky i thoshte deleve që ndodh kjo e kjo, shprehte dhembshuri për Erion Veliajn. Njëherë në radhë të parë duhet ta përgëzoj degën e Tiranës dhe Belind Këlliçin që për 46 javë nuk iu ndanë atij hajduti, ndër më të poshtrit që ka Shqipëria dhe që e ka emrin Erion Veliaj.

Kurse, asnjë diskutim që Rama atë nuk e donte kurrë dhe të gjitha ato që i bëhen atij në burg, dhe që janë çnjerëzore, ua them unë këtu, ne jemi parti e të drejtave të njeriut, se thonë po e  mbron, unë nuk e mbroj fare, unë mbroj atë që besoj dhe unë besoj tek të drejtat e njeriut. Pra, të gjithë ato dhunime dhe poshtërime që i bëhen, i bëhen nga Edi Rama dhe Ulsi Manja, sepse donte ky faqezi donte të zgjidhej edhe njëherë dhe e përdorte Altin Troplinin si karrem. Nuk bëhen kurrë ndaj të burgosurit ato. 

Pra, ju e patë teatrin që bëhej aty, se jo fëmija, jo ky, jo ai. Dhe ky që i kishte bërë të gjitha vetë. Me urdhër. Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit. I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj Covid-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm. Janë 22 mijë vdekje që ajo i fshihte. Plus gjërat e tjera. Janë 500 milionë euro, të avulluara, të dhëna për Covid-in. Dhe ky e çon atë për qytetarët e Tiranës sikur ta ketë Tiranën kopshtin e PS.