Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, u dënua me 2 vite e tetë muaj burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e cila e gjeti fajtor për shpërdorim detyre.
Ditën që u dha vendimi i gjykatës, Dako u paraqit në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Ai u shtrua në repartin e Sëmundjeve Infektive, ku qëndroi nën mbikëqyrjen e Forcës së Policisë së Burgjeve, për shkak të problemeve të tij shëndetësore, përfshirë aritmian, ankthin dhe herninë diskale.
Burime zyrtare bëjnë me dije për “DurrësLajm” se ditën e sotme, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe policia e ka shoqëruar Dakon në paraburgimin e Durrësit. Sipas avokatit të tij, ish-kryetari do të qëndrojë në qeli vetëm për 6 ditë, pasi pjesën më të madhe të dënimit e ka kryer në arrest shtëpie, dhe përllogaritjet tregojnë se ai përfundon dënimin më 27 shtator.





