Shpronësimet e 74 familjeve durrsake, banesat dhe bizneset e të cilave preken nga projekti TID Durrës, janë kthyer javët e fundit në kryefjalë të debatit publik në qytetin bregdetar.
Projekti synon “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës” për të nxjerrë në pah vlerat historike dhe arkeologjike të saj, por pjesë e prishjeve mund të jetë edhe një mur i periudhës turke, i vitit 1502.


Nga muri, në të cilin mbështetet godina 2-katëshe, ku banojnë 4 familje, është hequr tabela që dokumentonte vlerat e tij historike dhe faktin se pse ai ruhej në formën origjinale të tij (“DurrësLajm” e nxorri tabelën nga filmimet e bëra nga Google Map vite më parë).
Një nga familjarët që banojnë aty shtron pyetjen se pse do të shembet edhe kjo dëshmi e zhvillimit urban të qytetit, të 5 shekujve më parë.
“Muri rrethues i katit të parë është mur i periudhës otomane, i shekullit XIV, madje ka qenë dhe një tabelë vënë nga Arkeologjiku, për ta ruajtur si vlerë, si monument. Sipër tij jemi ne, 4 familje që banojmë aty. Jemi munduar që ta mirëmbajmë si godinë. Kemi dashur ta suvatojmë pjesën e poshtme, që është muri i vjetër, nuk na ka lënë komuna dhe ata të arkeologjikes, sepse duhet të ruhet identiteti i vjetër. Tani vjen puna që do të prishet si godinë komplet, edhe kati i parë, edhe kati i dytë.”
Paraditen e sotme, një përfaqësi e 74 familjeve që shpronësohen u takua me kryebashkiaken Emiriana Sako, për të parashtruar kundërshtitë e tyre që lidhen me mos shembjen e godinave dhe vlerën qesharake të dëmshpërblimit. Banorët janë të vendosur të kërkojnë në gjykatë pezullimin e projektit.
“Sot njerëzit kanë letrat në dorë për shtëpitë që u është vënë një vlerë shumë e diskutueshme. Në të gjitha rastet janë shtëpi që pjesërisht prishen dhe pjesërisht nuk prishen. Si grup banorësh, ne do të godasim të gjitha pjesët ligjore, duke përfshirë edhe bashkinë. Mirë apo keq edhe bashkia Durrës është bërë pjesë e këtij procesi, edhe pse me sa kuptohet është vetëm pjesë kaluese dhe nuk është pyetur fare. Qëllimi kryesor i joni është të pezullojmë projektin. Pavarësisht se këta kanë nxjerrë shpronësimet dhe bashkia pretendon se procesi nuk kthehet prapa, nuk është e vërtetë. Në pjesën ligjore neve na lind e drejta të ndjekim procedurat për pezullimin e tij”.
Në përfundim të takimit, arkitektja Entela Koja, që preket drejtpërdrejt nga zbatimi i projektit, tha se i vetmi lajm i mirë deri më tani është se prishjet nuk do të kryhen menjëherë.
“Për momentin, ata na siguruan se nuk është një gjë e shpejtë. Ky është i vetmi lajm i mirë që mund të thuhet. Nuk është një gjë që do të ndodhë shpejt, sepse nuk janë aprovuar akoma buxhetet e para për rikonstruksion”.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi, të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
M.B.





