Një interes të pakët zgjoi dëgjesa publike e mbajtur në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për projektin e ndërtimit të parkut fotovoltaik 100MW në zonën e Spitallës.
Në sallë ishin të pranishëm shumë pak persona, megjithëse projekti është një nga investimet e rëndësishme, që pritet të kryhen në këtë zonë industriale në vitet në vijim.
Parku fotovoltaik që pritet të nisë të ndërtohet brenda këtij viti dhe të vihet në funksion në janar të 2027-ës do të ndërtohet në një zonë industriale, larg zonave të banuara, në një sipërfaqe që konsiderohet e favorshme nga pikëpamja e biodiversitetit, si edhe nga aspektet socio-ekonomike.
Përfaqësuesja e kompanisë franceze Voltalia, Edjola Xhelili, bëri të ditur se në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë koncesioni do të zgjasë 30 vite dhe gjatë kësaj kohe 70% e energjisë së prodhuar nga parku do t’i shitet qeverisë shqiptare me çmim mjaft të leverdisshëm, 28.89 euro për MWh, ndërsa 30% do të tregtohet në tregun e lirë.
Po ndërsa parku do të ndërtohet dhe vihet në funksion, rrjeti i kanalizimeve dytësore dhe tercore do të menazhohet nga kompania, në bazë të marrëveshjes që ka nënshkruar me bashkinë Durrës, e cila i ka dhënë të drejtë të operojë edhe në zonën përreth, jashtë kufijve të projektit, në sipërfaqe toke që rezulton në pronësi të subjekteve apo individëve të ndryshëm, gjë që mund të shkaktojë në të ardhmen tensione mes palëve.

Ndërkohë ,përfaqësuesi i kompanisë Abkons, Redjon Biba, bëri të ditur se është kryer një studim i plotë i biodiversitetit përgjatë një viti, i cili ka treguar se ndikimet mjedisore janë minimale si gjatë kohës kur do të ndërtohet parku, ashtu edhe gjatë viteve të funksionimit të tij.
Për të shmangur përmbytjet, projekti parashikon ngritjen e instalimeve mbi nivelin 1.2 metra në rast emergjencash hidrologjike tha Biba.
Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt tranzicionit energjetik në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, uljen e varësisë nga importet dhe mbrojtjen e mjedisit.
M.B.





