“Velierë” hekuri mbi muret antike, mbi Amfiteatër, kafene në katet e sipërme ku ndodhen banesa historike, dhe investime private që paraqiten si qendra kulturore. Banorët meritojnë më shumë, e qyteti akoma më shumë!”
Urbanisti Artan Kacani bëri këtë postim në rrjete sociale një ditë më parë, të cilin e shoqëron edhe me materiale nga plani i detyruar vendor për zonën e re të zhvillimit në Durrës, ose më saktë zonën historike të qytetit 3000-vjeçar, që preket nga zbatimi i projektit TID në amfiteatër dhe përgjatë bulevardit “Epidamn”.

Kacani i referohet dokumenteve zyrtare të hartuara nga studiot Stefano Boeri Architetti dhe Son Architects, të cilët fituan vite më parë konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit për të krijuar një park arkeologjik dhe për të ruajtur rrënojat romake në Durrës.
Për “DurrësLajm”, urbanisti Kacani deklaron se ky projekt ka një sërë shkeljesh dhe i shërben më shumë interesave klienteliste, që duan të spastrojnë një nga lagjet më të vjetra të Durrësit.
“Një nga shkeljet kryesore është vetë fakti që plani i menaxhimit i tejkalon kufinjtë e zonës administrative dhe amfiteatrit duke shembur më shumë sesa 90% të banesave që ndodhen përqark zonës urbane. Padrejtësitë bëhen gjithnjë e më të dukshme, sepse po flasim për ndërhyrje, të cilat janë bërë mbase me presion nga jashtë, mbase me interesa klienteliste, të cilat synojnë të bëjnë “tabula rasa” ose spastrim të lagjes Kala. Ajo që është më absurd është se bëhet për të hapur vende për parkim dhe Veliera të reja mbi amfiteatër”.

3 vite më parë, në tetor 2022, arkitekti ndërkombëtar Stefano Boeri prezantoi në Ministrinë e Kulturës, përpara specialistëve dhe anëtarëve të bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (The_AADF), një projektide mbi restaurimin dhe rijetësimin e amfiteatrit, ku siç duket edhe në pamjet filmike që po transmetojmë bie në sy stuktura e hekurt, apo një “Velierë” e dytë në qytet, por këtë herë mbi amfiteatër.
Në takim, ministrja e atëhershme e Kulturës, Elva Margariti deklaronte se synimi i kësaj projekt ideje “është që zona arkeologjike e Durrësit të shndërrohet në një qendër model vizitueshmërie, e aksesueshme nga të gjithë, por mbi të gjitha që evidenton pasurinë e trashëgimisë sonë.”
Por projekt ideja e Boerit, Ministrisë së Kulturës dhe AADF-së do t’i kushtojë shumë 74 familjeve durrsake banesat dhe bizneset e të cilave prishen për t’i hapur rrugë projektit dhe shpronësohen me vlera qesharake monetare.
Në të njëjtën kohë, monumenti më të rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Durrësit rrezikon dëmtimin.
“Strukturat e hekurit faktikisht prishin simetrinë e amfiteatrit, prishin strukturën dhe bazamentin dhe aty ku synohet prishja e shtëpive, synohet ose ndërtimi i strukturës së hekurt, ose ndërtimi i kafeneve. Një pjesë tjetër e banesave të vogla parashikohet të transformohen në qendra kulturore, investime private të seleksionuara. Pra nuk ka pasur një process të mirëfilltë të dakordësimit me banorët, pasi edhe vetë banorë të tjerë mund të kishin qenë dakort, që banesat e tyre të kthehen në hapësira kulturore.
Banorët që preken nga projekti TID Durrës kanë zhvilluar disa protesta, përmes të cilave kërkojnë pezullimin e projektit dhe njëkohësisht çështjen po e ndjekin në rrugë ligjore dhe presin vendimin e Gjykatës Adminsitrative për sigurim padinë që kanë depozituar pranë gjyqësore, ku kundërshtojnë vlerën e dëmshpërblimit të trojeve, banesave dhe bizneseve të tyre.
M.B.





