Ndërgjegjësimi i popullatës, sidomos grave dhe vajzave, për rëndësinë e kontrolleve për parandalimin e kancerit të gjirit merr një vëmendje të shtuar sidomos gjatë muajit tetor.
Shtimi i rasteve të prekura nga kanceri i gjirit, jo më vetëm tek gratë që kanë kaluar menopauzën, por edhe tek moshat e reja i ka bërë onkologët që të apelojnë shpesh për të bërë kontrolle periodike tek mjekët specialistë, eko gjiri apo mamografi për ta kapur sëmundjen që në fazat e hershme të saj, sepse vetëm kështu mund të shpëtohet një jetë.
“Deri në vitin 2000, kur kemi folur kemi thënë që kanceri i gjirit prek moshat nga 45-65 vjeçe. Por pas vitit 2000 kemi një rritje të numrit të rasteve të kancerit të gjirit tek moshat e reja. Unë kam raste të moshës 28 vjeçe. Janë shumë të rralla, por ekzistojnë. Ka ikur koncepti që kanceri i gjirit bëhet vetëm në periudhën e menopauzës, por mund të shfaqet në çdo stad të jetës.
Rrethi i Durrësit, nga viti 2020 deri në 2024 , që i kemi statistikat ka rreth 80 – 100 raste të reja në vit. Kurse në total pacientë me kancer gjiri, që kanë vite unë kam me qindra”,- thotë onkologia Ekaterina Zoto për “DurrësLajm”.
Autoritetet shëndetësore kanë vendosur që përgjatë muajit tetor, të gjitha gratë dhe vajzat mund t’i drejtohen Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës për të kryer vizita me apo pa rekomandim online, ndërsa në Spitalin Rajonal mund të kryejnë mamografinë falas.
Kanceri i gjirit është një sëmundje që në pjesën dërrmuese të rasteve të diagnostikuara prek gratë, por edhe burrat nuk janë imunë. Onkologia Zoto ka aktualisht 3 pacientë meshkuj të prekur nga kjo sëmundje dhe pranon se për fat të keq, burrat paraqiten pranë bluzave të bardha jo në stadet e hershme të sëmundjes.
“Fatkeqësisht burrat më vijnë në rastet kur ka ndodhur kanceri i gjirit, është instaluar. Vetë psikologjia e tyre nuk e pranon dot që të jenë prekur nga kanceri i gjirit”,– thotë mjekja onkologe.
Kanceri i gjirit është një sëmundje që nuk shfaq simptoma të dukshme, por kujdesi i shtuar i grave për ndryshimet që pësojnë gjinjtë e tyre është hapi i parë për parandalimin e saj. Onkologia Zoto rekomandon një kontroll vetjak në ambientet e shtëpisë.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerave, që prekin gratë në planetin tonë.
M.B.





