Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ditën e sotme dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pasi, Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës si dhe dekretin e Begajt për zgjedhjet. 

Në vendim thuhet se Gjykata Kushtetuese vendosi njezëri të kalojë për gjykim padinë e depozituar nga Veliaj. Seanca e parë do të mbahet më datë 31 tetor. 

“Gjykata Kushtetuese vendosi njezëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 Tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë,” thuhet në njoftimin e GJK-së.

Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki, përfshi dhe Tiranën. Dekretimi i Begajt për zgjedhjet në Tiranë erdhi një ditë pasi Kushtetuesja e quajti procesin të pezulluar. Ndërsa më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Tashmë Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë. Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama.