Fushata kombëtare “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile pati paraditen e sotme ndalesën e saj në Durrës.
Pas Përmetit dhe Elbasanit, stacioni i radhës ishte qyteti bregdetar, i cili vite më parë u përball me dëmtime kolosale nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Fushata synon të afrojë qytetarët me konceptin e mbrojtjes civile si pjesë e përditshme e jetës dhe zhvillimit të komunitetit, duke theksuar rëndësinë e informimit, parandalimit, përgatitjes dhe reagimit të koordinuar ndaj rreziqeve natyrore dhe emergjencave.
Në sheshin qendror të qytetit të pranishëm ishin qytetarë, nxënës shkollash dhe përfaqësues të institucioneve dhe drejtorive që në fokus të punës së tyre kanë mbrojtjen civile.
Mbrojtja civile e popullatës fillon me njohjen e riskut dhe me veprimet e vogla të përditshme që bëjnë diferencën dhe mundësojnë parandalimin.
Fushata “Mbrojtja Civile në Turne 2025” synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet nga fatkeqësitë natyrore e të tjera dhe të forcojë kulturën e sigurisë dhe reagimit në komunitet. Gjithashtu synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive në ruajtjen e sigurisë personale, familjare dhe komunitare.
M.B.





