Nesër, e premte 17 tetor, pritet të mësohet nëse dy drejtori të bashkisë Durrës, të mbetura pa drejtues për shkak të miratimit të dorëheqjes së titullarëve të tyre, do të kenë drejtorët e rinj të tyre.
Bëhet fjalë për Drejtorinë Ekonomike dhe Drejtorinë e Shërbimeve Sociale për përzgjedhjen e drejtorëve të të cilave bashkia Durrës shpalli konkursin më datë 26 shtator, pas largimit të ish-drejtorëve Ermal Lufo dhe Meme Xhaferaj.
Në faqen zyrtare, bashkia njofton se nga procedura e konkurimit “Ngritje në detyrë” janë përzgjedhur kandidatët Arlind Vata dhe Ina Ferra.
Arlind Vata aktualisht punon pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, ndërsa Ina Ferra punon pranë Drejtorisë Ekonomike.
Secili prej kandidatëve të përzgjedhur nuk ka konkurues të tjerë përballë dhe garën e ka me veten e tij.
Institucioni i qeverisjes vendore njofton se “konkurimi do të zhvillohet në ambientet e Bashkisë Durrës në datë 17.10.2025 , ora 10.30”.
Më herët, procedura e konkurimit “Lëvizje paralele” dështoi, sepse nuk u paraqit asnjë kandidat.
M.B.





