Duke nisur që nga mbrëmja e kësaj të shtune, aksi rrugor “Adria”, nga ura e Dajlanit deri te stacioni i trenit në Durrës, nuk do të ketë ndriçim publik.
Mësohet se shkak për mungesën e ndriçimit janë bërë punimet që po kryhen për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor.
Burime nga sektori i ndriçimit publik pranë Ndërmarrjes “Rruga” bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se kompania që po kryen ndërhyrjen në këtë aks u ka kërkuar leje për demontimin e shtyllave të ndriçimit publik.
Demontimi i shtyllave ka nisur ditën e sotme dhe do të vijojë deri në heqjen e shtyllës së fundit përgjatë këtij aksi.

Mungesa e ndriçimit publik në këtë aks pritet të vijojë deri në përfundimin e punimeve dhe, për pasojë, gjatë festave të nëntorit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, përgjatë këtij segmenti rrugor nuk do të vendoset as dekor festiv.
Punimet në këtë aks kanë nisur disa muaj më parë dhe financohen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FZHSH).
Në përfundim të këtij investimi, ky aks do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm të një infrastrukture rrugore me standarde evropiane.
“Rruga ‘Adria’ do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, duke krijuar të gjithë elementët e saj rrugor me korsi biçikletash, korsi për lëvizjen e njerëzve dhe korsi për lëvizjen e mjeteve. Rruga ekzistuese ka vazo betoni në qendër të saj, të cilat do të hiqen dhe në vend të tyre parashikohet një brez i gjelbër”, – bëhet e ditur nga dokumentet e tenderit.





