Avokati Ulian Barjami është arrestuar pas një incidenti të ndodhur në sallën e gjyqit, ku ka kërcënuar prokurorin Gjergji Ceka gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe me pseudonimin “Suci”, një emër që përflitet për lidhje të ngushta me të shumëkërkuarin Emiljano Shullazi.
Maksim Lika u ndalua së fundmi në kuadër të një aksioni blic në qytetin e Elbasanit, që kishte në shënjestër elementë të botës së krimit.
Për arrestimin e av.Barjami ka reaguar Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë e cila dënon me forcë arrestimin e tij nga Policia e Elbasanit me Urdhër të Prokurorisë.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë:
Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Prof. Dr. Maksim Haxhia





