Pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot të të gjitha seancave gjyqësore penale në vend, përfshirë edhe ato në Gjykatën e Durrësit. Bojkoti do të zgjasë pesë ditë, nga data 20 deri më 25 tetor 2025, dhe do të prekë një numër të lartë çështjesh në sistemin gjyqësor.
Në Durrës, sipas të dhënave zyrtare, janë planifikuar 326 seanca gjyqësore penale për këtë periudhë, përfshirë edhe ato të quajtura “të ngutshme”. Pjesa më e madhe e këtyre seancave rrezikon të mos zhvillohet për shkak të bojkotit të avokatëve, të cilët do të marrin pjesë vetëm në seancat që lidhen me masat e sigurisë – si caktimi, ndryshimi apo zëvendësimi i tyre.
Vendimi i Dhomës së Avokatisë vjen pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, i cili akuzohet se ka kanosur për shkak të detyrës prokurorin Gjergj Ceka. Ngjarja ndodhi gjatë një përplasjeje në sallën e gjyqit, lidhur me çështjen e 14 personave të arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, disa prej të cilëve ishin të armatosur. Mes të arrestuarve ishte edhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Bajrami.





