Ina Ferra është drejtoresha më e re në bashkinë Durrës.
Ajo është shpallur fituese e konkursit të zhvilluar më datë 17 tetor, në bashki dhe do të mbajë postin e drejtoreshës së Drejtorisë Ekonomike, post ky i mbetur vakant pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ermal Lufo.
Në faqen zyrtare, bashkia bën të ditur se Ina Ferra është shpallur kandidate fituese, ndërsa në konkursin tjetër për pozicionin e Drejtorit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale nuk ka asnjë fitues.
Për këtë post kandidonte Arlind Vata.
“Vazhdojmë me procedurën e konkurimit nga jashtë shërbimit civil”,- njofton bashkia, duke bërë të ditur kështu se drejtuesi i ardhshëm i kësaj drejtorie nuk do të zgjidhet mes stafit aktual të këtij institucioni.
Po kush është Ina Ferra?
Ferra ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik dhe ka kryer Master Shkencor në Administrim.
Ajo ka eksperiencë 8-vjeçare pune pranë Bashkisë Durrës, ku ka qenë pjesë e disa drejtorive, si Drejtoria e Buxhetit, Drejtoria e Shërbimeve si dhe Drejtoria e Burimeve Njerëzore.
Së fundmi ajo ka mbajtur postin e shefes së sektorit të diasporës në bashki.
Ina Ferra ka ndjekur një sërë disa trajnimesh/kualifikimesh në Planifikim Strategjik, Financat Vendore, Planifikimi buxhetor afatmesëm dhe monitorimi, Akti administrativ etj.
Ferra flet tri gjuhë të huaja: anglisht, italisht dhe spanjisht.





