Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metës, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta e më pas i groposi trupin.
Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të Shënavlashit në Durrës, që u zbulua më 10 shkurt 2024.
E motra e tij, Hygerta Meta është dënuar me 8 vite burg, nga 30 vite që kishte kërkuar prokuroria ndërsa i vëllai, Amarildo Meta është dënuar me 5 vite burg.
Ndërkohë, bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta është dënuar me 3 vite burg.
Njoftimi i gjykatëS:
VENDIM
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e përbërë prej gjyqtarëve Xhevdet Lika, Rexhep Bekteshi dhe Alban Veçani, vendosi:
- Të deklarojë fajtor të pandehurin Hy. M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” (neni 79/c i Kodit Penal), dhe ta dënojë me burgim të përjetshëm.
- Të deklarojë fajtor të pandehurin Hy. M. për “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh dhe municionesh” (neni 278/4 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të pushojë akuzën ndaj Hy. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome” (nenet 303 e 25 të K. Penal).
- Në zbatim të nenit 55 të K. Penal, të bashkojë dënimet dhe ta dënojë Hy. M. me një dënim të vetëm – burgim të përjetshëm.
- Të deklarojë fajtore të pandehurën Hyg. M. për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (neni 301 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të deklarojë fajtore Hyg. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome, në bashkëpunim” (nenet 303 e 25 të K. Penal), me 5 vite burgim.
- Në bashkim të dënimeve (neni 55 i K. Penal), ta dënojë Hyg. M. me 8 vite burgim.
- Të deklarojë fajtor të pandehurin A. M. për “Fshehje dhe asgjësim kufome, në bashkëpunim” (nenet 303 e 25 të K. Penal), me 5 vite burgim.
- Të deklarojë fajtore të pandehurën B. M. për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (neni 301 i K. Penal), me 3 vite burgim.
- Të urdhërojë që Hy. M. ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa Hyg. M., A. M. dhe B. M. në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Në zbatim të nenit 190 të K.Pr.Penale, për provat materiale të veprohet sipas pjesës arsyetuese të vendimit.
- Shpenzimet e hetimit dhe të gjykimit u ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve Hy. M., Hyg. M., A. M. dhe B. M.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, më datë 23.10.2025
GJYQTARËT:
Rexhep Bekteshi | Xhevdet Lika | Alban Veçani
SEKRETARE: S. Bllaca





