Moti i keq dhe deti i trazuar i këtyre ditëve ka dëmtuar sinjalistikën detare të portit të Durrësit.

“DurrësLajm” mëson se 2 ditë më parë, për shkak të detit të trazuar me forcë 6 ballë është dëmtuar një nga fenerët hyrës për në portin e Durrësit.

Bova me fenerin e kuq u këput dhe paraditen e kësaj të diele ka dalë në bregun e shëtitores “Taulantia”.

Ajo është një nga 8 fenerët e vendosur për të orientuar hyrje-daljet e mjeteve të ndryshme detare për në port dhe anasjelltas.

Pritet që ajo të rikuperohet ditën e hënë nga Shërbimi Hidrografik Shqiptar (SHHSH) i Forcës Detare dhe të rivihet në pozicionin e saj, në fillim të kanalit hyrës të portit më të madh në vend.