Një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive për qytetin bregdetar zhvillohet këtë të diel. Maratona e Durrësit 2025. pritet të mbledhë mbi 500 pjesëmarrës nga më shumë se 20 shtete, duke e shndërruar qytetin në një pikëtakim të vërtetë ndërkombëtar për dashamirësit e vrapit dhe të sportit.

Qëllimi i Maratonës është të nxisë një mënyrë jetese të shëndetshme si dhe të promovojë qytetin si destinacion turistik dhe kulturor. Sportistë profesionistë, amatorë dhe nxënës shkollash do të ndajnë të njëjtën pistë dhe të njëjtin emocion.

Organizatorët kanë menduar që garat do të zhvillohen në tre kategori, duke u përshtatur për çdo moshë dhe nivel dhe do të jenë në distancat 1 km, 5km dhe 10 km.

Starti dhe përfundimi i maratonës do të jetë në sheshin “Liria”, përballë Bashkisë Durrës, ndërsa itinerari i saj përshkon disa nga zonat më të bukura si Bulevardin “Epidamn”, Rrugën e Re të Portit, Shetitoren e Plazhit etj.