Tone Lekgegaj, avokatja e Marjan Kodhelit, i arrestuar për vrasjen e babait të tij, ka dhënë detaje mbi gjendjen e të riut dhe rrethanat e ngjarjes.

“U vendos arrestimi i ligjshëm dhe ai u la në burg. Akoma nuk është bërë një ekzaminim paraprak, ai ende nuk e kupton veprimin që ka bërë. Marjani shihet si një njeri i mbyllur dhe i heshtur, nuk e dimë çfarë ka vuajtur nga brenda. Ka qenë një veprim i momentit, i pa paramenduar nga askush”, tha avokatja Tone Lekgegaj.

Sipas saj, familja ka qenë gjithmonë e rregullt dhe punëtore, ndërsa Marjani, i cili ka emigruar që në moshën 18-vjeçare dhe ka mbaruar shkollën e mesme, është kthyer në qershor dhe është shfaqur i heshtur. Avokatja theksoi gjithashtu se ngjarja ndodhi pas një periudhe të vështirë për të riun, përfshirë edhe vdekjen e gjyshes së tij.

“I ati i ka kërkuar të qëndrojë edhe disa ditë dhe t’i presë njerëzit që vijnë. Këto fjalë mund të mos i kenë pëlqyer. Marjani nuk është shoqëruar asnjëherë në komisariat”, shtoi avokatja.

Kërkesa e mbrojtjes mbetet që i riu të nënshtrohet një vlerësimi mjeko-ligjor për gjendjen e tij mendore.