Dy maratonomakë, njëri 80 vjeç dhe tjetri 79 vjeç sfiduan për të disatën herë moshën duke marrë pjesë dhe garuar mes më të rinjve në edicionin e parë të Maratonës Durrës 2025.

I mirënjohuri Sotir Qirjaqi e ka pjesëmarrjen e 345-të këtë të sotmen në gara të gjata sportive siç është maratona. Për të është mjaft e rëndësishme pjesëmarrja në këtë event që po organizohet në Durrës, ndërkohë që pas disa ditësh ai do të udhëtojë drejt Athinës, për të garuar në maratonën ndërkombëtare që organizohet në kryeqytetin grek, ku do të vrapojë 42 km.

Me dashurinë e madhe për të përfaqësuar vendin e tij sa më mirë dhe për të arritur një tjetër rekord personal, Qirjaqi mban përherë me vete flamurin kombëtar, të cilin e shpalosi edhe sot mes shumë maratnomakëve nga vendi dhe vende të ndryshme të botës.

Ndërsa për maratonomakun 79-vjeçar nga Vlora, që prej 20 vitesh është pjesë e të gjitha garave të gjata sportive, dëmtimi i vogël në këmbë nuk do ta pengojë. Ai është i bindur se do ta përfundojë maratonën, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha garat përgjatë 2 dekadave të fundit.

M.B.