Konkurimi për postin e drejtorit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale ka prodhuar një fitues.
Diola Xhango është drejtoresha e re, e cila zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtuesen Meme Xhaferaj.
Xhango është drejtoresha e dytë që del nga konkurimet e hapura nga bashkia Durrës, pas dorëheqjeve masive të drejtorëve, të kërkuara nga kryeministri Edi Rama në korrik dhe të miratuara nga kryebashkiakja Emiriana Sako në muajin shtator.
Më herët, Ina Ferra fitoi konkursin e shpallur për drejtorin e Drejtorisë Ekonomike.
Ndërkohë, dy drejtoresha të reja pritet të dalin nga konkurimi që zhvillohet këtë të martë, në orën 11.00 në ambientet e bashkisë.
“DurrësLajm” mëson se për dy drejtori të rëndësishme, si Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike dhe Drejtoria e Arsim, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare dy kandidatët e përzgjedhura janë femra.
Bashkia bën të ditur se për këto dy poste kandidojnë Alda Zyferi dhe Migena Muhaj.
Kjo dominancë kandidatesh femra në konkurset për drejtor në bashkinë Durrës nuk ishte konstatuar asnjëherë kaq e ndjeshme në konkurset e mëparshme, të zhvilluara përgjatë viteve të kaluara.
Pyetja që lind është a refuzojnë kandidatët meshkuj t’u nënshtrohen konkurseve, apo se ndjejnë veten të aftë të konkurojnë?!
M.B.





