Një studim i ri paralajmëron se dëmtimi i zemrës në mesomoshë mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e demencës në vitet e mëvonshme të jetës.

Sipas kërkuesve, niveli i lartë i një proteine të quajtur troponinëkardiake në gjak është tregues i hershëm i dëmtimit të muskulit të zemrës dhe mund të lidhet ngushtë me shfaqjen e demencës deri në 25 vjet përpara diagnozës.

Studimi, i publikuar në EuropeanHeart Journal, përfshiu afro 6 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar të moshës nga 45 deri në 69 vjeç, të cilët nuk kishin as sëmundje të zemrës e as demencë në momentin e testimit. Ata u ndoqën për një periudhë mesatare prej 25 vitesh. Gjatë kësaj kohe, 695 persona u diagnostikuan me demencë, dhe ata që e zhvilluan sëmundjen kishin nivele dukshëm më të larta të troponinës në gjak, madje dekada përpara diagnozës.

Sipas autorëve, personat me nivelet më të larta të troponinës kishin 38% më shumë gjasa për të zhvilluar demencë sesa ata me nivelet më të ulëta. Përveç kësaj, ata shfaqën rënie më të shpejtë të kujtesës, të të menduarit dhe të aftësive për zgjidhjen e problemeve.

Ekspertët thonë se nivelet e larta të troponinës mund të jenë shenjë e dëmtimit të vazhdueshëm të zemrës, që me kalimin e kohës dëmton qarkullimin e gjakut në tru dhe rrit rrezikun e demencës.

Sipas ekspertëve, troponina mund të bëhet në të ardhmen një mjet i rëndësishëm për të parashikuar rrezikun e hershëm të demencës, duke ndihmuar mjekët të ndërhyjnë para se dëmtimi në tru të bëhet i parikthyeshëm.