Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka organizuar një stërvitje intenstive në juglindje me gjithë strukturat, për të trajnuar e kuptuar sa gati janë këto institucione për të përballuar rastet emergjente. Korça, sipas dokumenteve zyrtare, është një nga zonat me risk për tërmete, ndaj kërkohet trajnim i kapaciteteve dhe shtimi i tyre.

“Të thuash struktura të afta është disi e vështirë pasi evolimi i kushteve klimatike kërkojnë që të gjithë ne të jemi në përditësim njohurish. Në asnjë moment nuk themi me bindje që jemi të përgatitur e përballojmë çdo lloj gjëje. Nuk ka një përgjigje përfundimtare për të thënë nëse sistemi jonë është gati për të përballuar. Kapacitetet kanë nevojë për tu forcuar në kalimin e kohës. Jemi të vetëdijshëm që ka nevojë të përmiresohet, kjo nuk është argument për të hequr dorë nga mosveprimimi. Nuk jemi pa kapacitete fare”, tha Jonian Harka,drejtor i Trajnimeve dhe Stërvitjeve AKMC.

Prefekti i qarkut të Korçës tregon se përmirësimi i zjarrfikësve, mjeteve të policisë dhe atyre bashkiake është i nevojshëm

“Padiskutim duhet përmirësuar në mënyrë, duhet të marrin vëmendje më të madhe institucionale dhe mbrojtja civile duhet trajtuar si një mjet i vazhdueshëm, sa të përgatitur jemi ne për të reaguar në mënyrën më të mirë të mundësive tona, solidariteti nuk ka munguar por ajo që bën diferencën është mënyra organizative dhe zinxhiri i komunikimit për të qenë në lartësinë e detyrës”, theksoi Nertil Jole, prefekt i qarkut Korçë.

Në disa prej shkollave të qytetit të Korçës janë zhvilluar situata hipotetike të rasteve të tërmetit dhe sesi duhet të sillet komuniteti në bazë të protokolleve zyrtare.