Mbrëmjen e kësaj të hëne dhjetëra banorë të fshatit Çërravë kanë protestuar para Komisariatit të Policisë së Pogradecit, duke kërkuar lirimin e 27-vjeçarit Kevi Muçllari i cili paraditen e sotme pati një konfrontim me anëtarin e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike, Ëngjëll Shyti.

Ata e cilësuan arrestimin tërësisht politik dhe të paligjshëm, duke pretenduar se këshilltari bashkiak Shyti ishte ai që e provokoi i pari përplasjen fizike.

Sipas protestuesve, arrestimi është një tentativë për t’i trembur dhe për t’i detyruar të tërhiqen nga kauza e tyre kundër dhënies me qira të 34 hektarëve tokë shtetërore.

Pas incidentit, Policia e Shtetit shoqëroi Muçllarin, i cili më pas u arrestua në kushtet e flagrancës nën akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë Pogradec deklaruan më herët se banorët janë dëgjuar dhe se nga 70 hektarë tokë që ishin parashikuar fillimisht për dhënie me qira, 36 hektarë me status “kullotë” janë hequr nga plani, duke mbetur vetëm 34 hektarë me status “pemtore”.

Megjithatë, edhe ky vendim është kundërshtuar nga banorët, të cilët kërkojnë anullimin e plotë të procedurës.

Banorët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë asnjë investitor të hyjë në tokat që, sipas tyre, janë përdorur prej vitesh si kullota për blegtorinë.