Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] ka bërë të ditur se më 12 nëntor ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim rrëmbimin  e kreut të një bande rivale shqiptare për trafikim droge.

Kreu i kësaj bande shqiptare – emri i të cilit nuk është bërë i ditur – dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë të miliona eurove, shkruan REL.

Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.

EUROPOL-i ka thënë se në operacion janë përfshirë autoritetet për zbatim të ligjit prej Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Këta individë shumë të trajnuar kanë qenë të pajisur me pajisje profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar”.

Në ditën e operacionit policor janë arrestuar katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, që janë arrestuar në tetor të vitit 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.