Sot është Dita Botërore e Diabetit.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prevalenca globale e diabetit është pothuajse dyfishuar që nga viti 1980, duke u rritur nga 4,7% në 8,5% në popullatën e rritur.

Kjo pasqyron një rritje të faktorëve të rrezikut të lidhur me mbipeshën dhe obezitetin. Gjatë dekadës së fundit, prevalenca e diabetit është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta.

Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë, dëmtimit të veshkave, atakut në zemër, goditjes në tru dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme. Ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe shmangia e përdorimit të duhanit mund të parandalojnë ose vonojnë diabetin e tipit 2. Përveç kësaj, diabeti mund të trajtohet dhe pasojat e tij të shmangen ose të vonohen me mjekim, kontroll të rregullt dhe trajtim për komplikime.

Diabeti mund të prekë njerëzit në të gjitha fazat e jetës, duke përfshirë fëmijërinë, vitet e riprodhimit, moshën e punës dhe moshën madhore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zgjedhur si temë të këtij viti “Diabeti në fazat e jetës”, temë e cila i njeh kujtdo që jeton me diabet, të drejtën që të ketë akses në kujdesin e integruar, mjedise mbështetëse dhe politika që promovojnë shëndetin, dinjitetin dhe vetëmenaxhimin.

Diabeti është një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon. Kjo çon në një përqendrim të shtuar të glukozës në gjak (hiperglicemia).