Durrësi, destinacion për të kaluar natën e ndërrimit të viteve, por edhe ditët e para të vitit të ri.

Megjithëse jemi në atë që konsiderohet sezon i ulët, fundi i këtij viti i gjen strukturat hoteliere të rezervuara në të gjithë kapacitetin e tyre akomodues.

Jo vetëm turistët nga rajoni zgjedhin qytetin bregdetar, por edhe ata përtej oqeanit Atlantik.

“Këtë vit kemi një risi, që hoteli është i rezervuar 100% nga shtetas të huaj, me kombësi të ndryshme. Kemi shtetas nga Sllovenia, Bullgaria, nga Gjermania (do rrinë për shumë netë), por kemi edhe një grup nga Amerika, diku tek 30 persona që kanë vendosur të vijnë ta kalojnë Vitin e Ri në Shqipëri.”– thotë për “DurrësLajm”, administratori Blerim Norja.

Hotelet janë duke detajuar elementët e fundit të dekorit festiv, ndërkohë që menuja e darkës së ndërrimit të viteve do të jetë tërësisht shqiptare.

“Besoj se është tradita jonë që i tërheq. Festa e Vitit të Ri në Shqipëri merr përmasa shumë të mëdha, sepse për ne është një nga festat më të rëndësishme. Mënyra sesi ne e organizojmë këtë festë  me gatimet tona tradicionale dhe mënyra sesi ne e festojmë mund të jetë shumë interesante për shtetasit e huaj. Kjo pasi në vendet e tyre mund të festohet shumë më vakët”.

Zgjatja e sezonit turistik dhe kthimi i Durrësit në një destinacion të vizitueshëm nga turistë nga e gjithë bota është një fakt i pranueshëm nga të gjithë vitet e fundit.

Ndërkohë sezoni i vitit të ardhshëm pritet të jetë i suksesshëm dhe të nisë me risi të mirëpritura nga operatorët turistikë.

“Në 2026 nis më herët sezoni. Do të fillojmë rreth fundit të muajit mars. Rezervimet e para janë shtetas austriakë, të cilët kanë vendosur të vijnë në Durrës për turet e tyre. presim nga fundi I muajit mars rreth 2200 shtetas austriakë, të cilët kanë rezervuar në hotelin tonë. Kemi edhe një tjetër risi, që po shtohen dita ditës shtetasit nga Anglia. Shtetasit anglezë janë gjithnjë prezentë në hotelet e Durrësit, aktualisht me një numër më të vogël, por gjatë periudhës së verës ka një kërkesë shumë të lartë”,- thotë Norja.

M.B.