Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar në ambientet e bashkisë një takim me përfaqësues të GIZ për të analizuar gjendjen aktuale të transportit publik në qytet dhe për të diskutuar projekt, i cili synon përmirësimin e këtij sektori.

“Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me GIZ, ka analizuar gjendjen aktuale të transportit publik në qytet. Në një takim me drejtuesin e projektit, Christian Mettke dhe përfaqësues të tjerë të GIZ, diskutuam mbi këtë projekt, i cili synon përmirësimin e transportit publik në Durrës.

Rritja demografike, zhvillimi i projekteve të reja dhe flukset turistike në rritje 📈 pritet të shtojnë kërkesën për lëvizshmëri, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e një rrjeti transporti më efikas dhe më të koordinuar. Studimi evidenton nevojën për shtimin e numrit të autobusëve, përdorimin e teknologjisë GPS, përmirësimin e infrastrukturës së stacioneve dhe rritjen e informimit për udhëtarët.

Qëllimi përfundimtar është krijimi i një sistemi transporti publik modern, të besueshëm, të sigurt dhe tërheqës për të gjithë, duke ofruar një shërbim dinjitoz dhe cilësor si për qytetarët ashtu edhe për vizitorët”,– shkruan Sako.