Bashkia e Durrësit ka zhvilluar konsultime publike në njësitë administrative Ishëm, Manëz dhe Rrashbull, në kuadër të miratimit të shpalljes së zonave prioritare të zhvillimit në territorin e bashkisë, bazuar në ligjin nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”.
Në këto takime morën pjesë banorë të zonave përkatëse, përfaqësues të biznesit, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, grupe interesi dhe grupe të margjinalizuara. Pjesëmarrësit ndanë mendime dhe sugjerime konkrete mbi zonat prioritare, duke kontribuar në hartimin e politikave lokale që synojnë zhvillimin e agroturizmit, bujqësisë dhe iniciativave të reja ekonomike.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë regjistruar 126 aplikime përmes platformës e-Albania nga qytetarë dhe subjekte që kanë shprehur interes për investime, kryesisht në Ishëm, Manëz dhe Rrashbull. Aplikimet lidhen me aktivitete si agroturizëm, bujtina, ferma, pemtari dhe forma të tjera zhvillimi rural.
Rekomandimet e mbledhura gjatë konsultimeve publike do t’i përcillen Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe komisioneve përkatëse, për t’u shqyrtuar dhe reflektuar në vendimmarrjen përfundimtare.





