Nga kjo e enjte kanë nisur në portin më të madh në vend lundrimet e dyfishta të trageteve të linjës Durrës -Bari për të përballuar fluksin e udhëtarëve. Festat e fundvitit shoqërohen me fluks të shtuar në hyrje, pasi shumë emigrantë kthehen në atdhe për të kaluar pushimet.
Por përveç shqiptarëve që kthehen për të kaluar pushimet pranë familjeve, nuk mungojnë edhe të huajt, që kanë zgjedhur vendin tonë si destinacion për të kaluar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
“Do të qëndrojmë deri për Vit të ri, do të shkojmë në Berat, Gjirokastër dhe pastaj do të shkojmë në Greqi. Vijmë për herë të dytë, kemi qenë këtu 8 vite më parë. Atëherë vizituam Tiranën, Durrësin dhe Gjirokastrën.
“Nga hera e parë kur isha këtu tek ju kujtoj ushqimin. E keni shumë të mirë. Tani po vi të shoh ndryshimet që ka pësuar vendi juaj. Jam kurioze të shoh si keni evoluuar. Edhe herën e kaluar kur kemi qenë në Shqipëri ishte dimër”,- na thonë një çift francez.
Autoritetet portuale kanë marrë të gjitha masat për të përpunuar në kohë rekord udhëtarët dhe automjetet.
“Të gjitha strukturat janë në gatishmëri. Gjatë këtyre ditëve do të operohet me 24 sportele për kontrollin e dokumenteve”,– bën të ditur kapiteni i portit, Tauland Allka.
Gjatë mëngjesit të sotëm, rreth 1000 udhëtarë mbërritën me 3 tragetet e ;linjës Bari-Durrës, ndërkohë që në mbrëmje pritet mbërritja e një tjetër mjeti lundrues.
M.B.





