Në një kohë kur pritet që të nisë mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku do të diskutohet për kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve të PD-së, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se kjo masë duhet të bazohet mbi faktet.
Ai tha se opozitën e quajnë grupash, ndërsa shtoi se gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat.”, tha ai.





