Tre pronarë marketesh në Kombinat, Kamzë dhe Krujë janë arrestuar.

Policia bën me dije se në subjektet e tyre u gjetën kuti me lëndë piroteknike, që mbaheshin me qëllim shitjen.

Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.

Njoftimi:

Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen përditë, në kuadër të planit operacional “Fireworks”, në subjekte që mund të tregtojnë pa autorizim lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 3 markete në këtë paligjshmëri.

Për këto 3 raste u arrestuan shtetasit K. K, A. B. dhe F. Sh., pasi në marketet e tyre, përkatësisht, në Rrugën e Qelqit, Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, dhe në fshatin Hasan, Krujë, u gjetën kuti me lëndë piroteknike, që mbaheshin me qëllim shitjen.

Ndërkohë, nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u procedua penalisht shtetasi E. B., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi E. P., 20 vjeç. Në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. B., u konstatua një sasi e konsiderueshme fishekzjarresh, të cilat dyshohen se janë porositur nga shtetasi E. P. Punohet për kapjen e 20-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.