Një ngjarje e pazakontë është regjistruar gjatë mesnatës së të shtunës në Sarandë. Në lagjen nr. 4, në vendin e quajtur magazinat e peshkimit, përgjatë një segmenti rruge ishin të parkuara disa mjete në pronësi të banorëve të kësaj lagjeje. Persona ende të paidentifikuar kanë shpuar gomat e rreth tetë mjeteve të parkuara.

Policia është njoftuar disa orë më vonë nga njëri prej pronarëve të mjeteve dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Gomat e automjeteve kishin nga një ose dy çarje. Dyshohet se ngjarja mund të jetë kryer nga ndonjë person nën efektin e alkoolit.

Specialistët e hetimit në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin.