384 persona u vunë në pranga, ndërsa 655 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, pas një mega-operacioni të autoriteteve italiane kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 1.400 kilogramë drogë.

Sipas agjencive ligjzbatuese, u sekuestruan 35 kilogramë kokainë, 1.370 kilogramë kanabinoidë dhe 1 kilogram heroinë. Gjatë kontrolleve u gjetën gjithashtu 41 armë zjarri, 80 armë të ftohta, si dhe mbi 300 mijë euro cash, që dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Policia bën me dije se gjatë hetimeve u identifikuan mbi 95 mijë persona, përfshirë 16.701 shtetas të huaj dhe 10.848 të mitur. Operacioni u koordinua nga forcat e rendit italiane dhe përfshiu dhjetëra bastisje të njëkohshme në zona urbane dhe periferike.

Autoritetet theksojnë se aksioni është rezultat i muajve të tërë hetimesh, përgjimesh dhe monitorimesh, duke çmontuar disa linja furnizimi dhe rrjete shpërndarjeje të drogës në nivel kombëtar.

Gjatë operacionit u identifikuan edhe disa profile në rrjetet sociale, përmbajtja e të cilave dyshohet se lidhet me veprimtari kriminale.

Sipas policisë, ky është një nga operacionet më të mëdha antidrogë të viteve të fundit në Itali dhe përbën një goditje të rëndë për krimin e organizuar.

Mediat italiane raportojnë se në njoftimet zyrtare nuk janë përmendur kombësi të veçanta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetet dhe lidhjet ndërkombëtare të trafikut.

Autoritetet  italiane kanë paralajmëruar se operacione të tjera të ngjashme do të pasojnë, në kuadër të luftës së intensifikuar kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.