Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën e paralajmëruar kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje”.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.
Një ditë përpara protestës, autoritetet kanë nisur masa të shtuara sigurie në ambientet përreth Kryeministrisë. Ditën e djeshme, në fasadën përballë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur mburoja metalike, me qëllim mbrojtjen e institucionit nga incidente të mundshme gjatë tubimit.
Punonjës shërbimi janë parë duke montuar strukturat metalike. Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar për planin e plotë të masave të sigurisë, përgatitjet në terren tregojnë një gatishmëri të lartë të forcave të rendit.





